TREGIM nga FATIME KULLI

. . . kanë tagër


Nga FATIME KULLI



Unë, Era dhe Sara, shkuam tek Laura në shtëpi (pasi kishte disa ditë që s'vinte në punë).
Laurën e gjetëm të shtrirë, si një pikturë e deformuar abstrakte. Ajo na uroi mirëseardhjen dhe lëvizi jastëkun për t'u ngritur pakëz në shtrat. Në sytë e saj të kaltër si në ujët e detit, pashë valët e rrëmbyera të trishtimit që donin të shpërthenin në bregun e shpëtimit.
Pyetja dhe habia kacafyteshin në oazin e dyshimit...
Era, mjaft impulsive nuk priti dhe filloi ta pyeste:
- Ç'të ka gjetur që je katandisur kështu? Ti s'ke ankuar kurrë, se vuan nga ndonjë sëmundje. Je bërë si kufomë me eshtra të ngjyer!
Por, Laura si të nxirrte mirësi nga varri, tha:
- Po, ja... pa dashje u rrëzova nga shkallët, falë zotit shpëtova paq.
- Epo, njerëz jemi, edhe mund të rrëzohemi, pastaj, Laura vesh gjithmonë këpucë me taka të larta, - ndërhyri Sara qetësisht. Duke larguar kështu perden e dyshimit nga epiqendra e logjikës.
Sytë e mi përplasen përballë syve të Laurës, për t'i shkëputur vargonjtë e tundimit, që frikshëm fshehin diçka brenda, bukurisë së tyre.
Dhe sytë e saj bëhen më të fuqishëm, përballë nesh. Butësia e tyre filloi të gjejë qetësinë e humbur, duke u zhveshur nga makthi që e kishte mbërthyer atë bukuri magjepse. Befas, nga sytë e saj u derdh një stuhi me lot pafajësie, si për të ftuar të uriturit që dinë të pinë, vetëm dhimbje.
Shfrimi i menjëhershëm i rrëkesë ujore, goditi me shuplakë të fortë, durimin tonë dhe kërkuam me çdo kusht që Laura të na tregojë, ç'i ka ndodhur!
Krejt pa dashur sytë më shkuan në faqen e murit, sipër kokës sime më tërhoqi vëmendjen një fotografi. E vështrova me kureshtje, por Laura për t'i dhënë rëndësi, ndërhyri duke buzëqeshur:
- Kemi dalë me Marianin në plazh, në muajin e mjaltit.
Fotografi më të bukur s'kisha parë. Mariani si artist filmi, ndërsa Laura dukej si një fotomodele. Të dy, i kishte zgjedhur Zoti me dorën e tij.
Por Era (tip nevralgjike) vrapoi si era dhe me zërin e saj mu drejtua mua:
- Eva, lëre atë fotografi në stinën e saj! Dhe u kthye nga e sëmura:
- Kurse, ti Laura, nëse na ke shoqe të mira, na thuaj shqetësimin e trishtimit që na rrëfyen sytë e tu!
Laura mori frymë thellë dhe nxori ca psherëtima, të zhytura thellë në batakun e humnerës së shpirtit. Me duart që i dridheshin nga tensioni i çekuilibruar, filloi të zbërthejë kopsat e pizhameve, si të çmontonte gjithë tmerr, kapakun e ndonjë arkivoli.
Pamja e saj, i goditi si një fshikull, e hodhi vështrimin duke u luhatur me hapin e pasigurtë dhe lëshoi një britmë, sikur të kishte frikë edhe nga vetja.
U pamë sy ndër sy, vështrimi i saj ishte shprehje turpi dhe zemërimi të tërbuar...Vështrimi i saj prej skllaveje ndeshi tek unë vështrimin e një gruaje, e një motre. E kuptova sa shumë e kishte poshtëruar ai burrë, dhe u turpërova për dobësinë e saj.
Oh, ç'tmerr më panë sytë! Gjoksi i saj i vizatuar me maja thike, si të ishte gjoksi i ndonjë kufome të gjetur në rrugë, a ndonjë personazh i përdhunuar, si ndër filma.
Edhe Sara që është një grua e butë, e matur, klithi e egërsuar:
- Si e ke lejuar brutalitetin e atij maskarai, të arrij deri në këtë krim?!
Era e pa përmbajtur nga dëshpërimi vrapoi tek telefoni, duke ulëritur:
- Do të njoftojë policinë! Cili burrë ka të drejtë të na poshtërojë kaq paturpësisht e padrejtësisht, deri në deformimin fizik të gruas?! Përse duhet të heshtim para burrave të dhunshëm? Ndërkohë që ne, i respektojmë dhe investojmë aq shumë nga shpirti ynë, për t'i lumturuar, për t'i dhënë jetës jetë, kurse ata na e shpërblejnë, mizorisht, kështu siç e ka katandisur shoqen tonë...
Laura duke dihatur, i lutej:
- Mos, të lutem... mos! ...
Dhimbja në çaste të tilla, krijon shpërthime tensionesh të pa parashikuara vullkanike. Era e ngrirë si pikë-pyetje para telefonit, bërtiste sikur ne të ishim shumë larg saj:
- Kjo është e tmerrshme, ti duhet ta denoncosh!
Sara e çoroditur mërmëriste nëpër dhëmbë:
- Të gjithëve na ndodh që të bëjmë fjalë në shtëpi. Edhe burri im nxehet ngandonjëherë, por unë bëj sikur s'e dëgjoj dhe kur qetësohet, më thotë:
"Më fal Sara! Sot e teprova, por kam qenë i nervozuar në punë, s'më ka ecur mirë sot" .
- Ti Sara, mjaft na mbushe mendjen! - ia preu Era. - Bën mirë të punësohesh në kopshtin zoologjik, për të zbutur ujqërit!
Nuk mundja ta shihja dot Laurën në atë gjendje shpirtërore e fizike, s'e mendoja se do të zhvillonim një ndeshje kaq të fortë emocionale me shije të hidhur... Ia fërkoja lehtë duart për ta qetësuar, ndërkohë trokiti dera. Huri e ëma e saj me një mjeke. Me shqetësimin e nënës e me lot në sy na përshëndeti, dhe iu drejtua së bijës:
- Sot qenke çelë në fytyrë, se të kanë ardhur shoqet, e mira nënës, fatzeza nënës. Më rëntë pika, ç'më shohin sytë, e bukura e nënës. Dhe lotët e saj vaditnin faqet e zverdhura të Laurës. Mjekja pasi e vizitoi, i tha: Duhet të të shtroj në spital! Plagët kanë filluar të infektohen.
Sytë e dhimbjes së dhunuar të Laurës, u ndeshën me sytë kokëfortë të shoqeve të saj dhe zgjati duart e mishërimit, me shprehjen e gruas së nënshtruar të fatit të saj, për hir të fëmijëve, dhe dashurisë që kish për të shoqin. Lotët e saj dridheshin, sikur vlonin në furrën metalurgjike. Dhe me ton zbutës, nxori një tingull lutës, duke iu përgjëruar:
- Të lutem, bëj ç'të mundesh këtu, sepse po të shtrohem, situata do të përkeqësohet më tej!...Lutjet e Laurës më shkatërronin nervat, sikur, të kishte bërë ndonjë turp a faj të madh.
Pasi u largua mjekja, iu afrova me inatin që gulçonte brenda meje:
- Nuk dua të të rëndoj, as të të lëndoj, por dua që ti të ndjesh rëndësinë ë peshës së fjalës tënde, të drejtës tënde, të personalitetit si grua e fuqishme. Mjaft me sentimentalizma! Cilat janë shkaqet e dhunës së ushtruar, nga bukuroshi yt?!
- Po si të them... Marjani atë ditë ka qenë i pirë tapë. U mundova ta qetësoj për t'i dhënë ekzistencën e normalitetit, jetës... Por gjykimi i tij më krijoi dhimbje të forta që lanë gjurmë të errëta, dhe unë s'kam forcë t'i fshij.
- Po pse je, kaq e pazonja, moj qyqe?! Vetëm të ulësh kurrizin din, dhe të durosh dajakun!
- Jo, Eva! Ju s'e mendoni sa e vuaj unë këtë situatë, por gjithnjë mendoj për dy fëmijët, që mos t'i bëj të vuajnë për shkakun tonë. Por mos harro faktorin tjetër, se ne gratë, s'kemi forcë e pavarësi të plotë para opinionit, prandaj ndjenjën e fajit të tij, unë ia shpërndaj erës...
E ëma, e dëgjoi të bijën, çapëleu sytë dhe u drejtua nga mikeshat e saj:
- Ju jeni shoqet e sime bije, jeni si vajzat e mia, prandaj dua të flas hapur me ju. Marianit i ka hyrë vetja në qejf, e trutë i funksionojnë në këmbë. Që kur ka filluar punë atje lart, e ka tërbuar paraja. Madje, ai moj bijat e mia, bredh gjithkund me sekretaren e tij... e dinë të gjithë... Laura s'e duroi dot t'ia përdhoste dashurinë. Dhe ja, shiheni vetë, si e ka katandisur!. ..
S'doja t'i besoja, ato çka nxori nga goja kjo nënë. Ndodh shpesh herë, që burrat për pasione aventureske bëhen egoistë, pushtet-mbrojtë s të emrit, Burrë.
Një nerv i brendshëm i kujtesës që më ngacmoi një emocion të fuqishëm, që unë, dikur dashurova çmendurisht, dhe urreva njëkohësisht një burrë.
E pushtuar pas një pasioni të ëmbël, që herë më dukej si prurje normale e herë i paarritshëm, u ndodha nën trysninë e syve të natës. Nata më zhveshi krejt paturpësisht, para syve të hënës dhe më ledhatoi mrekullisht me të ftuarin e pasionit...
Pasione butësisht të çmendura, të mrekullueshme, të paharrueshme. ..
Kur sytë e hënës filluan të mbyllen, ftoi agimin për të zbehur pasionet...
Çuditërisht dëgjova një zë të sinqertë, që s'do ta bënte asnjë burrë para egoizmit euforik të pasionit.
Ende më rrëmben oshtima në vesh si një tingull i ëmbël, kur ai më rrëfeu sinqerisht:
"Të falënderoj o engjëll i natës, për çastet magjike që më dhurove, por unë s'jam marrë kurrë me aventura të tilla... Është hera e parë që ndërroj shtratin e besnikërisë bashkëshortore, pasi gruan time e dua shumë. Ajo edhe pak ditë do të lind, prandaj unë...
Nuk do ta harroj kurrë, këtë rrëfim prej shenjtori.
Interesant si janë burrat, sa të çuditshëm, të nevojshëm, aq edhe të ndryshëm nga njëri- tjetri.
Dhe për t'i ruajtur të freskët, të bukur, të ëmbël, sytë e asaj nate, sa herë që troket ndonjë pasion, unë s'e hap kurrë derën.
- Eva! – thërret Era.
- Eja të ikim, se u bë vonë, vijmë përsëri pasnesër! Laura le të qetësohet e pastaj, të vendosë, si të bëhet më mirë. Ne s'ia mbushim dot mendjen. Të isha në vendin e Laurës, Marianin do ta gjykonte drejtësia në mes të sheshit të qytetit.
Kur dolëm përjashta, mbrëmja kishte hedhur mbi supe vellon e muzgut.
Në mes të rrugës, si për ironi të mbrëmjes shohim një kope qensh që lehnin e përlesheshin me njëri-tjetrin.
Sara, më e dhembshura, mori një gur në dorë dhe thërriste: "Kuç, kuç, kuç!"
Ajo vazhdonte të thërriste për t'i shpërndarë, por ata vazhdonin punën e tyre. Midis grumbullit fekste një qen i bardhë, shumë i bukur që mundohej të fshinte turinjtë, me këmbët e tij. Kurse të tjerët, ishin të zinj e pisanjosë, dhe nuk ngopeshin duke sulmuar atë të gjorin...
Era, si gjithmonë e shkathët, tha:
- Ai qeni i bardhë është femër.
E gjora, mundohej të ikte për t'i shpëtuar kafshimeve, por ata s'e lëshonin kollaj.
- Dëgjoni moj gra! – vazhdoi Era – Edhe qentë kanë pasionet e tyre. Edhe këta janë të dhunshëm, edhe këta shtazë janë si meshkujt që kanë tagër të pacenueshëm për epsh-dhunë tek të pambrojturat. ..
Është e pa pranueshme, por e vërtetë. Janë apo s'janë seks mashkull?! Dhe të gjithë kanë shumë ngjashmëri me njëri-tjetrin.
Gatë u larguan nën mjegullën e dobësisë, duke çapitur midis dhimbjes së saj dhe heshtjes së rëndë që kishte pllakosur shpirtin e lënduar...
Sa e çuditshme dhe humane është zemra e një gruaje