Balade Çame- Këpucët e mjegullës


Fatime Kulli
Baladë nënës sime

Era e tërbuar e shekujve
U përplas ndër gjokse engjujsh të pafaj
koha u trullos dhe u bë qameti
nëna ime ballërrudhur e shpirtplasur,
këndon:
“Janinës ç’i panë sitëeee, Jaaaninoooo
Ish e prëmte ajo ditëeee, Jaaaaajaninooo
Oh, nënë, ç’është ky zë si në legjendë
Që drithëron dhe eshtrat e të parëve në çdo qelizë
Ah moj bije e nënës, e njoh mirë këtë gjëmë
ish shtrëngatë e stuhi, në atë kohë
yjet ranë nga qielli të përgjakur, një e nga një
Kafka e hënës ra në prehrin e tokës amë
barërat u helmuan, livadhet u gjakosën anë e kënd…
Mos nënë, mos më thuaj gjak, gjak…ohhhhhhhh
Po bijë, sa gjak është derdhur në tokën Arbënore
Toka e përgjakur nga kufomat më rrinë ende në sy...
Shkëmbinjtë shekullore u copëtuan nga dhimbja
ia ndërruan format, ngjyrat, emërtimet...
Eh, s’munda të ngjyej as hijen e gishtit,
të shkruaj emrin mbi një varr,
në oxhakun ku kam qarë për herë të parë...
O Zot, sa shumë dhimbje e lot ka pirë kjo tokë
dielli po më rrezohet para këmbëve të mia
Në qerpikë më ka ngrirë kripa e lotit...
Ku rënkon e thinjur në vetull, Çamëria...
Janinës ç’i panë sitëeeee, Jaaaa janinoooooooo...
Të lutem nënë, mos këndo më, se më lëndon
Po moj bijë, do këndoj, sa të plas, se kështu është historia