MENDIMI KRITIK


KULLI OSE SHUMËDIMENSIONI I POEZISËOpen in a new window



(mbi vëllimin poetik në botim "Këpucët e Mjegullës" të Fatime Kullit)

Nga Fatmir Terziu


Poezia ka fuqi. Ajo mund të na qetësojë ne, të na lërë në meditimin tonë, madje të na bëjë shpirtin të pasur. Ajo mund të luajë rolin e një kënge, që të na dhurojë të dyja kundërshtitë e jetës: gëzimin dhe hidhërimin. E njëjtë, gati në të gjitha kulturat, ashtu si dje edhe sot, poezia është gjuha e mendjes dhe e zemrave. Po, poezia është vërtetë një dhuratë nga Zoti. Që nga koha që bota e poetit, u pikëtakua në rrugëtimn e poezisë, historia dhe memorja kanë shënuar domethënien. Një domethënie që vjen në mendjet tona në fakt që nga koha kur ne jemi lindur, kur ninullat poetike na kanë zhbiruar ndjesinë tonë foshnjore, nën tinguj muzikal që vijnë nga buzë dashamirëse, që lexojnë ëndërrën e pikturuar kahera. Ëndërrën që poezia e rigjen tek rrugëtimi i saj. Në këtë rrugëtim ku pikturohet dhe trupëzohet një pjesë e kulturës dhe historisë së Atdheut. Në këtë indigjencë letrare është edhe poezia e Fatime Kullit, si ajo që ka gjetur lexuesin po aq edhe poezia e saj që pret dritën e botimit së shpejti. Prof. Dr. Jup KASTRATI (Mësues i Popullit, Mjeshtër i Madh i punës, Intelektual Ndërkombëtar) e cilëson poezinë e Kullit “një kryevepër në llojin e vet, në lirikën shqiptare”. Gazeta “Ballkan” thotë “Është cilësuar si poete liriko-erotike, por është marrë edhe me letërsi serioze dhe studime hulumtuese. Fatime Kulla është një poeteshë, e cila poezinë dhe krijimtarinë i konsideron gjithçka. Më tepër se jetë”. Kjo e fundit duket edhe në poezitë e fundit të saj. Midis arsyeve të tjera, që përcaktojnë këtë konsideratë është edhe shkaku që kjo poezi identifikohet si një derivat inspirues i një kontigjence njërëzore, që për hir të ekzistencës së virtualitetit qëmton mbi fatin të prek të nevojshmen, e të pasqyrojë të arsyeshmen si një mënyrë dhe pjesë realiteti, të cilin e lexojmë në kundërshtinë e argumentuar të saj:

“Më lerë të vdes, o lule gur,
ku s'më shqitet as aroma...
Unë lëngoj, vdes e ringjallem
Nën hijen e këmbëve Burrë...”

Gjetja e këtij derivati, ku kundërshtia si aspekt i metafizikës kërkon hapësirë dhe vend, gjen figuracionin e pasur të kursejë fjalët e të japë një poezi me fuqi sqarimi, nën një varg ku metafora dhe fjala ngjizen. Një ngjizje që fiton më shumë kuptim teksa vetë poezia në këtë pikë kombinon kuptimin, emocionin, gjuhën dhe imazhin. Ajo mban në këtë pikë madje ritmin e fuqishëm të tingullit me një ndërthurje të ideve anësore. Një poezi e tillë apelon përnjëherësh në shqisat tona për të shpërndarë ndjenjën dhe mendësinë e saj. Ajo shërben si një e tërë, edhe kur kontradiktorja e jetës “vdes e ringjallem”, duket si një e ndarë dhe e shprehur e veçuar. Së pari ne e ndjejmë atë si të thjeshtë dhe më pas kompleksiteti i saj na bën të thellohemi se si ajo punësohet si e tërë në shpërndarjen e ndjenjave dhe mendësive që mbart për tek lexuesi. Duke filluar me këtë poezi, që ngjan si një ankoruese në qindra poezitë e tjera të vëllimit poetik të Kullit, ne në fakt vetëm sa kemi filluar të bëjmë analizën e hipotezave që lidhen e përcillen në këtë kolazh poetik të ndjeshëm. Një kolazh që koncentrohet tek referencat jetike, shënimet ditësore, ndihma historike, filozofia e fjalës, aspekti ambient-rrethues, biografia njërëzore në tërë kompleksin e kundërshtisë, hapësira në tërë dimensionin e saj dhe mjaft informacione që sillen si pjesë e informacioneve anësore.


NGA MESAZHI TEK REFERENCAT JETIKE


Një poezi lirike është një pasqyrë emocionale e një ndodhie ose e nje rrethane, edhe pse ajo në fakt shtjellon dhe përshkruan momente pasioni. Në poezi të tilla si “Si frymë e diellit në perëndim”; “Kërkoj lotin e ëmbël”; “Kur një grua”; “Ndjej dhimbjen e luleve”; “… imazhi yt”; “Fjala e fundit”; “Dashuruar si në përralla”, kjo duket qartë. Duket qartë se mesazhi hyn në venat e jetës dhe nëpërmjet limfave jetike që simpatizohen nga fjala e zgjedhur percjell referencat e jetës si një kompleks dhe jo siç ndodh rrëndom në vargëzime të fjalës si një kronologji jete. Jetikja ose referenca jetike e përditëse kërkon një varg të qetë të pangarkuar dhe domethënës. Në këtë ndërmjetësim fuqia e poetes i ngjizet poezisë të ndërtojë në sinkron mesazhin. Një mesazh që në fakt tekanjozet në mesazh dhe lartësohet në figuracion. Kjo është e prekshme tek poezia “Dashuruar si në përralla”, ku stimuli nis me një metaforë, “flas me ëndërrën e errësirës” tërhiqet në krahasimin “si shoqeza më e mirë e dorës së diellit” dhe rikthehet shumë shpejt në botën e mesazhit të referencës jetike që shprehet me dëshirën e adhurimit dhe me viziven, të pamshmen, natyralen: “që bredhin muzgjeve të kristalta…”. E parë në këtë analizë, poezia e cituar qëmton ndjesinë dhe përhumbet në referencën e magazinuar të jetës që autorja e prudentizon të vetës së parë. Herë të tjera, Kulli është më shumë reflektive, përcjell mesazhin të ushqyer tek referencat jetike të saj, duke u përpjekur të përcjellë sensin dhe eksperiencën dhe për t’a aplikuar atë si të prekshëm për një fushë akoma më të madhe se eksperienca personale e përditësisë. Ndoshta kjo ngaqë në më të shumtën e rasteve poezia e Kullit vjen me pulsin e thellë të përditësisë, ku ndihet fuqishëm cdo kënd-rrahës i jetës së saj. Fakt është se një poezi e tillë si “Tingull zjarr-pritës”, që vjen mes ‘tingullit’ jetik flet natyrshëm:

“lëshoje
tingullin
e ëndrrës shpëtimtare,
në kryqëzim sirenash
të çlirosh ankthin
e zërrit zjarr-pritës.”

Apo poezia “…adoleshente” që në tërë fuqinë e fjalës së saj është një promemorje jete, një referencë e fuqishme e jetikes:

“dëgjoj zërin tim
përmbi rërën e ëndrrës,
buzë frymëzimit
ndjej njëlmësinë
e ringjalljes sime
adoleshente…”

Duke folur për itinerarin e poezisë që endet nga mesazhi tek referencat jetike, vetë referencat analitike të poezisë pikëtakohen në rrjedhën e konkretes, që fiksohet ne situata imagjinare të mbira nga përditësia e stacionuar në mendjen poetike. Riprodhimi i kësaj memorjeje produktive, natyrshëm kërkon një shtrat njohurish dhe detajesh që lidhen e ndërlidhen jo vetëm me rrugën e poezisë, por edhe me depërtimin e saj tek normativat e saj. Normative poetike që në gjuhën e origjinës së saj është një ‘kondensim formash dhe marrëveshjesh për të tejzgjatur kuptimin e fjalëve që përdoren apo të prodhojë eksperienca emocionale ose sensuale”.

FILOZOFIA E FJALËS, ASONANCAT DHE SHUMËDIMENSIONI


Përdorimi i asonancave, aliteracioneve dhe ritmit në poezi është një metodë që poetët e mëdhenj të të gjitha kohërave i kanë vënë në shërbim të poezisë për të t’i dhënë asaj një fytyrë efektive që prodhon muzikalitet. Përdorimi i natyrshëm i këtyre formave sjell edhe normat e tjera që ndërmjetësohen në varg me simbolizmin, ironinë dhe elementë të tjerë të stilistikës për t’i dhënë poezisë dimensione të shumta kuptimore dhe interpretimi. Kjo në fakt është objekt i poezisë së Kullit. Është i tillë pasi poezia e saj e figuron tërësisht një anë dimensionale të tillë. Poezi si “Eja”; “Testamenti i pritjes”; “Dëshirës që lëngon…”; “Nën gjuhë të pasionit…”; “… laj ëndërrën hyjnore”; “Shpirtbardhë…”; “Muzgu dëshmitar…”; “… pres sytë e shuar”; “Veç unë…”; “Në varr të ëndërrës…”; “Do rrëzuar shkëmbi…”; “Këpucët e diellit”; “Ndër gishtërinjtë e gjilpërës”; Kambana e qelqtë”; “Nën ujërat e zjarrit” apo “…puthjet shpëtojnë njeriun…”, sillen si një model që pasojnë asonanca, aliteracione, ritëm dhe prodhojnë muzikalitet, po aq sa edhe sjedhin një rrethnajë këndesh interpretimi shumëdimensional. Përshembull, në gjuhën e Stuart Hall, poezia “…puthjet shpëtojnë njeriun…” parashihet si një kod më vete, ku poezia në fakt është një kod më vete, pasi vjen si një ‘glancë’ (pikëtakim-komunikim i shpejtë) dhe shumëzohet në mendjen tonë si burimndjedhese dhe inspirues. “Eja” është e ngjashme me të, por shtrihet më tej në elementë që sjedhin më shuë dimensione. Kuptimi i “Testamenti i pritjes” mund të lexohet disa herë dhe të mbartet në stacione të ndryshme e kështu me disa dhjetra poezi të tjera të kësaj poeteje që flet më shumë në çdo detaj e në çdo varg të saj. Në këtë këndvështrim analitik që shprehet poezia e Kullit merr përsipër të diamensionojë rrethndodhinë jetike jashtë analizës për moralin, jashtë përsosmërisë morale. Për poezinë e saj është më e rrëndësishme ndjenja se sa këndi i kësaj përsosmërie. Ilinden Spasse në librin monografik “Im Atë, Sterjo” shprehet “thelbi i çështjes nuk qëndron në përsosmërinë morale, por në proçesin e arritjes së saj”. Këtu merr kuptim poezia e Kullit, këtu poezia është poezi. Në fakt këtu është edhe pikasja e kritikës që vargun e Kullit tek “Trëndafili i djersitur” e quan afrim në “një kohë të joshjeve të jashtëzakonshme” (Pepa, 2006:101). Për Pepën, në poezinë e Kullit ‘i bëhet thirje shpirtit të këndojë edhe kur ai e ndjen se duhet kënduar…” (2006:101). Ajo që duhet thënë më qartë është në fakt përtej kësaj thënieje. Poezia e Kullit është shumëdimensionale në prezencën e saj, jo vetëm në aspektin e muzikalitetit që prodhon, por në kompleksin e saj që e bën të gjej vend në pikat e lartësisë poetike. Është ajo që Elliot e quan domosdoshmëria e poezisë, përcaktohet tek ‘multidimensionaliteti’ i shprehjes. Është në fakt ajo që Valter Benjamin e thotë qartë se poezia është një proces kërkimi. Ky proces kërkimi që në gjuhën e poetit të mirënjohur Robert Frost do të thotë “shkrimi i poezisë është zbulimi” i ndjeshmërisë personale për interesa më të gjëra. Kjo është në fakt poezia që lexohet tek Kulli, kjo është poezia e zbuluar në rrugëtimin e saj.