Refleksion

ANIMALS

Refleksion

Fatime Kulli

Sa shumë burra të egër kam hasur në jetë. Por, a me të vërtetë janë të egër ata, apo jam unë ajo, që s'përshtatem me egërsinë e karakterit të tyre?! Shpesh më rëndon mbi supe një shprehje e mençur: "Gabimet e të tjerëve kërkoi tek vetja..." Më kot lodhem, nuk gjej hapësira për të parkuar “fajin” tim... pasi këta burra janë njerëz, janë të egër, të butë dhe të dhunshëm. Ta provosh në kurrizin tënd fyerjen, poshtërimin, diskriminimin gjinor, apo përkëdheljen e tyre është njëlloj si të zbresësh nga ndonjë planet shkretëtire në një tokë me ferra, apo barëra të thatë. Edhe burrat, janë qenie njerëzore, shpesh i ngjajnë bimësive të tokës, sidomos kur qëndrojnë në pozicionin e zvarranikut, gjatë një intimiteti, pothuaj pa shumë dëshirë. Por, kur instinktet mashkullore vlojnë në ethe të sëmura, ata shndërrohen në intimitet të dhunshëm, duke përfituar (ata) një kënaqësi shtazarake. Fjala dhunë të dhunon më shumë se dhuna fizike. Megjithëse, burrat janë njerëz e në këto çaste, a funksionon zemra e burrit, apo e përbindëshit?! Nuk e di nëse këta burra kanë shpirt?! Ndoshta kanë, kjo është e sigurt, por i ndihmon të jenë të dhunshëm; pushteti i fortë patriarkal. Dhe shpirti i tyre dhunon më shumë psikologjikisht, se sa fizikisht, të mbështetur në muret e pushtetit patriarkal dhe këtë, e bëjnë me kënaqësi të pushtetit të tyre. Një ditë, kur një mik që e quaja me të vërtetë mik të mirë, e respektoja shumë, diskutoja me të problemet e ecurisë së letërsisë, gazetarisë, ndoshta edhe shumë probleme konfidenciale, u ndodha para një dhune psikologjike që arriti deri në fyerje banale. Asnjëherë s'jam ndier më e fyer në jetën time, se atë ditë.... Më kujtohet kur ai, në gjendje të dehur dhe të një deliri të pushtetit mashkullor, (të një xhelozie delirante), tregonte për dashnoret e tij që në rininë e hershme dhe madje me krenari, tregonte dhe stilet ushtarake të intimitetit seksual. Mendova me vete, se ky njeri s'është në rregull dhe fillova të mbajë distancë, duke mos i dhanë me konfidencë, qoftë edhe në raporte të punës që isha e detyruar t'i flisja. Por vura re se filloi xhelozia profesionale, edhe pse ishte shumë më i madh se unë në moshë, shprehte egon se mund të më sfidonte me pushtetin mashkullor, pasi kishte fituar besimin e eprorin tim dhe ishte i siguritë, se dy burra mund të ishin me fuqi absolute, përballë një gruaje. Ndjehesha keq... U mundova të mbaj një qëndrim "burrëror", por, pa dashje rashë në grackën e dhunës psikologjike të pushtetit të tyre. Dhuna thashë, përballohet me dhunë.... Dhe ditët në punë për mua, ngjyroseshin me zymtësi e dekurajim profesional. Ndodhesha nën trysninë e dhunës psikologjike të një burri të dhunshëm, që në pamje të parë të dukej një njeri babaxhan. Një njeri që të bënte ta dashuroje për mirësjelljen e tij, kur të gjithë miqve, pa dallim moshe, iu shprehej: "Si ju ka gjyshi ju, shpirti i gjyshit?" Sa gojë ëmbël, për të qenë aq arrogant, aq i pafytyrë, aq i dhunshëm në fjalorin e tij, kur mendonte se i prekeshin interesat e tij. Po për çfarë interesash e kishe fjalën? Ai ishte 71 vjeç dhe kërkonte të ishte i pari, kur nuk ishte nevoja të ishte as ai i parë dhe as e parë unë, veçse, të ishim më seriozë e korrekt në punë, në marrëdhënie me eprorin tonë që më besoi të jem e kujdesshme në punë. Ah, eprori im, një burrë që nuk e di nëse mund ta quaj të tillë, se nuk i ngjan fare të gjithë burrave që kam njohur unë personalisht në punë, kudo që kam punuar, apo kam hasur me tipa e karaktere të ndryshëm burrash, apo dhe i atyre burrave që kanë pozicione të barabarta në këtë lloj pune që punoj unë, nuk kam parë burrë më të butë, tolerant dhe të edukuar si personi në fjalë që është shefi im.
Që të jesh një botues, unë kam pak rezerva për këtë kategori njerëzish, pasi ata kanë forma të sofistikuara dhune në punë, në lidhje me gratë. Gratë dhe vajzat që punojnë me ta, janë gjithnjë nën presion psikologjik të shfrytëzimit seksual prej tyre, por ky burrë më duket i veçantë, në krahasim me këta burra perversë, që shfrytëzojnë çdo gjë që i kanë në dorë. Ndaj ndryshon eprori im burrë, nga burrat e tjerë, pasi di të respektojë një marrëdhënie pune që është respekt, detyrim reciprok për qëllimin e misionin që kemi në profesionin e gazetarit. Por, po i kthehem edhe një herë kolegut tim të moshuar që më lëndoi aq shumë me karakterin e tij, dhe që vuajnë nga virusi; zili-xhelozi, dhe këtë emocion e shfaqin me dhunë verbale, ku shpesh herë marrim një përgjigje të prerë me shkopinj nën rrota: "Të ndëshkoj, sepse aty ku je ti, duhet të jem unë se jam burrë". Dhe ky burrë (kolegu im nëse mund ta quaj), mund të them e bindur, se ka hyrë në stanin e atyre burrave që modifikojnë karakterin burrë, në kurriz të karakterit femëror dhe në bazë të zilisë-xhelozisë për profesionin dhe shfaqin dhunë të dukshme, psikologjike-morale dhe nëse do t'i krijosh pak hapësirë, nuk kanë frikë të përdorin edhe dhunë fizike dhe atë e bëjnë me kënaqësi, për të kënaqur sedrën e tyre prej burri. Për këto lloj karakteresh burrash, mund të përdorë një shprehje popullore: "Po t'i japësh dorën, të marrin krahun" . Dhe për këtë pikë, dua ta "shfajësojë" kolegun burrë, se ndoshta për përjetimin e dhimbjes , shfaqjet e dhunës së fyerjeve, një "faj" të rëndësishëm e kam unë, pasi i kam dhënë shumë konfidenca shoqërore, ndoshta të paqëllimshme, që për të u bënë shpesh qëllim në vetvete. Por tani e kuptoj, se këto lloj marrëdhëniesh, janë të rrezikshme, marrin ngjyrime të errëta karakteriale për njeriun, kolegun burrë-grua. Një element tjetër tek shfaqja e dhunës psikologjike-morale e kolegut tim, është ndërtimi i figurës së egoizmit të shfrenuar, për mbijetesë në profesion.
Por, tashmë gëzoj një autonomi të lirisë individuale dhe profesionale, ndjej neveri për veten time që jap më shumë respekt, më shumë konfidencë, njerëzi, burrave që përfitojnë nga natyra e sinqeriteti i femrës dhe të poshtërojnë me format e tyre "burrërore", duke tentuar të të denigrojnë moralisht, dhe, "fitorja më e madhe individualiste" e tyre, është kënaqësia e shprehjes vulgare: "Ti je një k....", "Ti je egoiste, sa të vij shefi, s'do të punosh më këtu", etj., etj. Bravo, kolegu im! Zilia-xhelozi, të ka errësuar arsyen, logjikën, edukatën, mirësjelljen, të ka helmuar kafetë që kemi pirë bashkë, ka varrosur një herë e mirë, fjalët e mençura, të ëmbla, konsideratat për letërsinë. Dhe, këtë lloj sjellje arrogante, rrugaçërie, në format "moderne" të lirisë të së shprehurit, në një shoqëri të lirë (siç pretendojmë ne se kemi futur njërën këmbë), ka lënë të ngujuar brenda karakterit të tij, atë, të fshehtën e errët të karakterit formues njerëzor, duke zbuluar hapur, (në një ditë të "sigurt") portretin e shëmtuar të një burri të pjekur që i ka rrënjët e veta, shumë më herët në rininë e tij, dhe që unë mund ta quaj; Pacient i sofistikuar i Niçes, i cili vuan nga një sëmundje e pashërueshme; Zili-Xhelozi. Këtë mekanizëm (të vjetër) që zgjodhi kolegu im L. Deda në formën e të shprehurit, është dhunë psikologjike e morale, ku unë, s'mund t'ia mohoj karakterin e tij, dhe, as mund ta edukojë, por e them me vuajtje, se e humba një koleg që mbivlerësonte vetveten, duke nënvlerësuar të tjerët, me format e dhunës psikologjike e morale. Kështu si ky rast, ka me dhjetëra raste ku burrat, të "mbrojtur" nga statusi burrë, , me dhunën e shfaqur prej tyre, kapitullojnë nga ekzistenca e të qenurit burrë-njeri, i edukuar me vlera të larta, si njeri në radhë të parë, e pastaj si gazetar, apo intelektual i kompletuar. Ndoshta, tani ngushëllohem me një shprehje të Zh. Zh. Ruso, i cili thotë: "Fyerjet janë argumenti i atyre që nuk kanë të drejtë".

mars 2008